Një Sukses për Bletarinë dhe të Rinjtë në Qarkun e Korçës

Ishte një nder të mirëprisnim në eventin përmbyllës të projektit tonë “Nxitja e të Rinjve në Bujqësi dhe Mbështetja e Bletarisë Moderne në Qarkun e Korçës” bashkëpunëtorët që na kanë mbështetur në këtë projekt. Në këtë ditë të veçantë, na nderuan me praninë e tyre Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Znj. Anila Denaj, së bashku me zv.ministrat Z. Arjan Jaupllari dhe Z. Dhimitër Kote, Ambasadori i Republikës së Turqisë në Shqipëri, Z. Tayyar Kağan Atay, Koordinatori i TIKA në Tiranë, Z. Mustafa Ata, dhe drejtues të institucioneve rajonale dhe vendore.
Ky projekt, me një qasje rajonale, ka sjellë rezultate të prekshme dhe konkrete për të gjithë Qarkun e Korçës. Disa nga arritjet kryesore përfshijnë:
– Interesimi i madh për projektin, me plot 170 aplikime nga të rinjtë e gjithë rajonit, dëshmon rëndësinë dhe nevojën për këtë lloj trajnimi në Korçë.
– Trajnimi i 25 të rinjve të përzgjedhur, të cilëve ju ofrua një kurs në një nivel të lartë profesional, duke përfshirë teori të avancuar, praktikë intensive dhe njohuri të thelluara në fushën e bletarisë moderne.
– Pajisja e 23 të rinjve me paketën e start-up, që përfshin 5 koshere moderne, vegla të nevojshme për bletari dhe 5 familje bletësh. Kjo paketë do t’u japë mundësinë të rinjve të fillojnë aktivitetet e tyre si bletarë dhe të kontribuojnë në zhvillimin e mëtejshëm të bletarisë në rajonin tonë.
– Krijimi i parkut të bletëve në Shkollën Profesionale të Shërbimeve me 35 koshere të reja, duke e bërë këtë park një burim të qëndrueshëm për edukimin dhe trajnimin e brezave të ardhshëm në bletari.
– Zhvillimi i një kurrikule të specializuar për studentët e shkollës profesionale, e cila do të ofrojë arsimim të cilësuar dhe mundësi të reja për të rinjtë e rajonit.
Ky projekt nuk do të ishte i mundur pa mbështetjen dhe përkushtimin e partnerëve tanë. Falë Agjencisë Turke për Koordinim dhe Bashkëpunim (TIKA) për ndihmën e jashtëzakonshme në sigurimin e pajisjeve dhe fondeve të nevojshme për suksesin e këtij projekti. Një falenderim i veçantë shkon për Universitetin Bujqësor të Tiranës dhe Universitetin “Fan S. Noli” në Korçë për trajnimin cilësor dhe përgatitjen e të rinjve tanë me njohuri të thelluara dhe praktike. Falenderime të përzemërta për bletarët e Qarkut Korçë, që ishin burimi i frymëzimit për këtë projekt. Gjithashtu, një falënderim për RTSH Korça për mbulimin mediatik të projektit dhe për informimin e publikut për çdo hap të rëndësishëm.
Gjatë eventit, shpërndamë certifikata për të rinjtë që përfunduan me sukses kursin dhe u angazhuan për të ndjekur pasionin e tyre në bletari. Ky projekt është një dëshmi e asaj që mund të arrihet kur investojmë në rininë, inovacionin dhe ruajtjen e traditave tona.