82 vjetori i Çlirimit të Krahinës së Oparit

Lufta Antifashiste Nacional-Çlirimtare e popullit shqiptar, pavarësisht debateve të sotme, zë një vend të veçantë në historinë e Shqipërisë. Kjo luftë, e kurorëzuar me fitore, çoi në çlirimin e vendit nga pushtuesit nazi-fashistë dhe rivendosjen e pavarësisë së Shqipërisë, të mohuar në vitin 1939. Shqiptarët, pa dallim feje, krahine, ideje, apo përkatësie sociale, u bashkuan për të luftuar kundër pushtuesve, dhe krahinat si Opari dhanë një kontribut të vyer në këtë luftë historike.
Opari ka qenë gjithmonë një bastion i patriotizmit dhe atdhedashurisë. Betejat më të ashpra në këto shkrepa janë zhvilluar nga partizanët kundër pushtuesve nazi-fashistë gjatë Luftës së Dytë Botërore, të udhëhequra nga komandantë të tillë si Asllan Gurra, Agush Gjergjevica, Haxhi Çemerrica, Shaban Zereci, Xume Protopapa, Koçi Brozdoveci dhe shumë të tjerë.
Krahina e Oparit u bë një nga zonat e para të çliruara në Shqipëri, qysh në verën e vitit 1942, dhe mbi 500 djem e vajza oparake dhanë kontributin e tyre të çmuar, ku rreth 100 prej tyre dhanë jetën për çlirimin e vendit.
Atdhetari Shaban Zereci, që në qershor të vitit 1942 krijoi çetën Gorë-Opar, që ishte çeta e tretë në Shqipëri pas asaj të Pezës dhe Skraparit. Kjo çetë, së bashku me të tjera, si ato të Moglicës, Brozdovecit, dhe “Kurora” e Asllan Gurrës, luftuan me trimëri dhe heroizëm, duke bërë Oparin një krahinë krenare dhe të papërkulur.
Opari, i njohur si “Zvicra shqiptare” nga patrioti Nuçi Naçi, është një krenari për të gjithë shqiptarët, jo vetëm për bukuritë e tij natyrore, por edhe për kontributet historike dhe vlerat që mbart. Sot, është detyrimi ynë t’i ruajmë dhe t’i përçojmë këto vlera, duke kujtuar ata që ranë për liri dhe duke çuar përpara amanetin e tyre: ta duam këtë vend dhe të bëjmë më të mirën për të.