Ndodhet në Leskovik, në zonën e Vromonerit, brenda luginave të zonave kufitare me Greqinë. Ky zbulim është bërë së fundmi nga një grup shkencëtarësh çek, të cilët prej disa vitesh kanë eksploruar zonën.
Duke gjurmuar burimet e avullit, nga burimet e nxehta nëntokësore, ata zbuluan një humnerë të thellë në të cilën gjetën këtë liqen, i cili sot për sot është më i madhi në botë me gjatësi 138 m, gjerësi 42 m dhe perimetër 345m me afërsisht 8,335 m3 ujë termal.
“Ky liqen është furnizues i burimeve përreth” – shprehet Richard Bouda, speleolog dhe fotograf.
Liqeni u quajt Neuron në nder të Fondacionit Neuron që mundësoi ekspeditën.
E gjithë zona ku ndodhet liqeni ka një sipërfaqe prej 3,200.6 m2, zonë ku janë gjetur disa specie endemike.
Atmosi, humnera ku ndodhet Neuron, ka një gjatësi prej 174,5 m në total dhe në 127 m gjendet liqeni.
Shoqëria Çeke e Speleologëve në bashkëpunim me disa universitete nga Italia, Sllovenia, Belgjika, Universiteti i Tiranës, së bashku me partnerë nga Greqia, Rumania dhe Shqipëria (Etmond Cauli) kanë punuar me mjete të teknologjisë së fundi, të cilat janë përdorur për të bërë matjet e nevojshme siç është skaneri LIDAR.
Kërkime dhe matje të tjera do të bëhen në muajin mars, kur grupi çek do të nisë sërish punën.