Muzeu Kombëtar i Artit Mesjetar në Korçë festoi këtë vit 45-vjetorin e krijimit të tij – një ngjarje me rëndësi të veçantë për trashëgiminë kulturore shqiptare. Që prej hapjes së tij në vitin 1980, muzeu ka qenë një qendër e ruajtjes, promovimit dhe studimit të artit ikonografik dhe objekteve të kultit që datojnë nga shekujt XIII deri në shekullin XIX.
Me një koleksion të pasur prej mijëra ikonash, relike kishtare dhe vepra arti mesjetar të autorëve më të njohur shqiptarë si Onufri, David Selenica apo Kostandin Shpataraku, ky institucion përfaqëson një pasuri të jashtëzakonshme kombëtare dhe një pikë referimi për studiues, vizitorë dhe artdashës vendas e të huaj.
Në fjalën e rastit, Kryetari i Këshillit të Qarkut, Erjon Nexhipi tha: “Muzeu ynë në Korçë është sot jo vetëm qendra më e rëndësishme e ikonografisë shqiptare, por një nga vlerat më të jashtëzakonshme që vendi ynë ka për t’i treguar botës. Dhe pikërisht për këtë arsye, në cilësinë time si Kryetar i Këshillit të Qarkut Korçë, në bashkëpunim me Kryetarin e Bashkisë, Drejtoreshën e Muzeut, dhe institucione të tjera vendore e qendrore, kemi ndërmarrë me përkushtim dhe këmbëngulje nismën për përfshirjen e fondit të këtij muzeu në Listën e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s”.
Të ftuarit përshëndetën punën e bërë me përkushtim gjatë këtyre viteve, ndërkohë që profesori i mirënjohur Pirro Thomo prezantoi artikuj rreth historisë së muzeut.