U hodh hapi i parë konkret në terren për një nga projektet më të rëndësishme të qarkut – krijimi i Muzeut “Dritëro Agolli”.
Ky muze, i cili do të vendoset në zemër të Devollit, në Menkulas, do të jetë një shtëpi kujtese, një vend ku do të ruhen përjetë vlerat, veprat dhe fryma e kolosit të letrësisë sonë kombëtare, Dritëro Agollit. Një simbolikë e bukur për të nderuar një njeri që me fjalën e tij ka ndikuar breza të tërë, duke lënë gjurmë të pashlyeshme në kulturën dhe identitetin tonë kombëtar.
Ky projekt po realizohet me bashkëpunimin e ngushtë mes Këshillit të Qarkut Korçë dhe Bashkisë Devoll. Muzeu nuk do të jetë vetëm një hapësirë ekspozimi, por një qendër kulturore ku brezat e rinj do të njihen me jetën, filozofinë dhe idealet e një prej mendjeve më të ndritura shqiptare.
Shumë shpejt, ky projekt do të marrë formën që meriton – me ambiente dinjitoze, ekspozita të kuruara me kujdes dhe një frymë që do të ruajë gjallë kujtimin e Dritëroit si njeri, intelektual dhe poet i popullit.