Në kuadër të projektit “RinArt, Qarku Korçë” Këshilli i Qarkut organizoi një udhëtim ditor, ku të rinjtë pjesëmarrës të RinArtit vizituan Universitetin e Arteve dhe Teatrin Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor.
Qëllimi i kësaj vizite ishte të krijonte mundësinë për të rinjtë e talentuar, të njihen nga afer me funksionet dhe pedagogë e mësues të këtyre dy tempujve të artit shqiptar.
Vizita e ambienteve të të gjitha fakulteteve të universitetit ishte një eksperiencë të veçantë dhe frymëzuese për të rinjtë pjesëmarrës. Gjatë vizitës në Universitetin e Arteve, ata patën mundësinë të ndërveprojnë me pedagogë të njohur dhe studentë të viteve të ndryshme, të cilët ndanë me ta përvojat e tyre dhe rrugëtimin në fushën artistike.
Të rinjtë vizituan auditorët, studiot e pikturës, atelietë e skulpturës, sallat e provave për muzikë dhe teatër, si dhe u njohën me procesin e përgatitjes profesionale të artistëve të ardhshëm.
Ndërkohë, në Teatrin Kombëtar të Operas, Baletit dhe Ansamblit Popullor, ata u pritën nga stafi drejtues dhe teknik, të cilët i shoqëruan në prapaskenat e teatrit, dhomat e grimit, sallat e provave dhe skenën kryesore. Një pjesë mjaft emocionuese e vizitës ishte ndjekja nga afër e një prove artistike, që u dha të rinjve një pasqyrë të gjallë të punës së palodhur dhe përkushtimit që kërkon skena profesionale.
Ky udhëtim shërbeu si një burim frymëzimi për pjesëmarrësit, duke u ofruar jo vetëm informacion praktik dhe artistik, por edhe motivim për të ndjekur ëndrrat e tyre në fushën e artit dhe kulturës.