Të nderuar të pranishëm,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve dhe komuniteteve të Qarkut Korçë,
Deputete,
Kryetarë të Qarqeve të Shqipërisë,
Miq dhe qytetarë,
Sot, më 10 dhjetor, jemi mbledhur këtu për të nderuar një prej kapitujve më të ndritshëm të historisë sonë kombëtare: shpalljen e Republikës Shqiptare të Korçës në vitin 1916. Kjo ngjarje nuk është thjesht një kujtim i së shkuarës, por një dëshmi e gjallë e vullnetit shqiptar për vetëvendosje, liri dhe shtetbërje.
Në një Evropë të përfshirë nga flakët e Luftës së Parë Botërore, dhe në një Shqipëri ende në kërkim të konsolidimit të shtetit të saj, Korça tregoi guxim, vendosmëri dhe organizim të jashtëzakonshëm. Përmes Protokollit të 10 dhjetorit 1916, kjo trevë krijoi një model unik vetëqeverisjeje shqiptare: këshill vendor funksional, gjykatë, xhandarmëri, shkolla shqipe, administratë civile, komunikim institucional dhe simbole shtetërore – flamurin, monedhën dhe pullat postare. Ishte një akt i qartë i sovranitetit dhe dashurisë për Atdheun.
Në qendër të këtij momenti qëndron figura e Themistokli Gërmenjit. I lindur në Korçë, ai u angazhua në shoqëritë patriotike “Drita” dhe “Dituria” në Rumani, dhe më pas veproi në Itali, Korfuz dhe Korçë. Drejtoi një çetë të armatosur, bashkëpunoi me qeverinë e Ismail Qemalit dhe shërbeu në administratën e shtetit të ri shqiptar. Gjatë viteve 1916–1917, Gërmenji luajti rol vendimtar në krijimin dhe funksionimin e Republikës Shqiptare të Korçës, duke mbrojtur interesat e qytetit dhe duke forcuar simbolikën kombëtare.
Sot nderojmë jo vetëm Themistokli Gërmenjin, por edhe bashkëpunëtorët e tij: Qamil Panaritin, Rafail Adhamin, Kostandin Nockën, Nikolla Vangjelin, Vasil Singjelin, Vasil Kondin, Llambro Mborjen, Thimi Calen, Shaqir Shabanin, Tefik Rushitin, Hysen Dishnicën, Emin Rakipin, Qani Dishnicën, Sali Babanin, Haki Mborjen, Petro Harizin, Faik Dishnicën dhe shumë të tjerë. Ata janë emra që mishërojnë guximin, mençurinë dhe përkushtimin për një Korçë dhe një Shqipëri më të mirë.
Edhe pse vetëqeverisja e Korçës zgjati pak, modeli i saj mbetet një mesazh i fuqishëm: aspirata për arsim, zhvillim shoqëror dhe institucione funksionale nuk shuhet, por jeton në rrënjët e historisë sonë.
Më 9 nëntor 1917, Themistokli Gërmenji u gjykua padrejtësisht nga një gjykatë ushtarake franceze në Selanik dhe u dënua me vdekje. Nuk dimë se si do të kishte vijuar rrugëtimi i Republikës së Korçës po të mos ishte ndërprerë nga kjo tragjedi, por dimë me siguri se rrënjët e lirisë, drejtësisë dhe vetëqeverisjes shqiptare janë të thella dhe të forta, të mbjella nga vizioni dhe sakrifica e paraardhësve tanë.
Ndërkohë që qëndrojmë sot pranë këtij varri monumental, le të kujtojmë me nder dhe mirënjohje ata që i dhanë jetë lirisë dhe institucioneve shqiptare. Le të ruajmë kujtesën e tyre, të çmojmë trashëgiminë historike dhe kulturore, dhe të angazhohemi me përkushtim për të ndërtuar një të ardhme ku vlerat e tyre të vazhdojnë të frymëzojnë çdo shqiptar.