Kryetar i Këshillit të Qarkut Korçë
Z. Erjon Nexhipi u lind më 4 Mars 1978 në Korçë, ku aktualisht jeton dhe vepron. Ai është i martuar dhe ka dy fëmijë.
U diplomua, ne vitin 2001 në Marketing pranë Universitetit “Fan S. Noli” të Korçës me rezultate maksimale, dhe vijoi më tej, studimet doktorale në Universitetin Bujqësor të Tiranës, po në fushën e marketingut.
Ai ka një përvojë të gjatë në fushën e menaxhimit dhe marketingut, duke kryer detyra menaxheriale në kompani të ndryshme dhe administratë publike (Promo Print, Beton Plus, Joy Florina, Alba-motor, Fotokozmos dhe Bashkia Korce). Veç kesaj, që prej 2009 -s ka nisur kontributin në fushën akademike, fillimisht si asistent pedagog dhe më vonë si lektor me kohë të plotë në Universitetin “Fan S. Noli”.
Gjatë gjithë kësaj periudhe, Z. Erjon Nexhipi ka ndjekur dhe ka marrë pjesë në shumë trainime dhe seminare, të cilat lidhen me fushat e tij të interesit: menaxhimi, rrjetet e kompjuterave, reklamimi, menaxhimi i burimeve njerëzore, financat, menaxhimi publik, çështje sociale dhe të tjera.
Ai është autor dhe bashkëautor i dhjetëra publikimeve shkencore dhe ka marrë pjesë në konferenca kombëtare dhe ndërkombëtare. Angazhimet dhe pjesëmarrjet e tij në veprimtaritë shkencore dhe publike dëshmojnë për një dedikim të madh ndaj zhvillimit dhe përparimit të komunitetit të tij dhe më gjërë.
Sa i përket njohurive gjuhësore, ai flet anglisht dhe ka njohuri të mira të gjuhës italiane.
Angazhimet publike dhe shoqërore të Z. Erjon Nexhipi datojnë që nga koha e studimeve universitare. Ai ka qenë anëtar i Këshillit të Fakultetit dhe i Senatit të Universitetit si përfaqësues i studentëve gjatë viteve 1999-2001, themelues dhe drejtues i organizatës studentore SIFE.
Në planin politik, ai ka qenë i angazhuar me Partinë Socialiste prej vitit 2003, duke marrë përsipër detyra të ndryshme drejtuese në nivel lokal: si anëtar i komitetit drejtues, kryesisë, koordinator, përfaqësues në forumet drejtuese, anëtar i Asamblesë Kombëtare, etj.
Nga viti 2015 deri në 2019, ai ka shërbyer si anëtar i Komisionit Këshillimor Qytetar Vendor (Korçë), një projekt i mbështetur nga USAID dhe Ambasada Holandeze.
Ai ka shërbyer si anëtar, nën-kryetar dhe kryetar i Këshillit të Bashkisë Korçë që nga viti 2011 dhe në vazhdim. Në vitin 2023, u zgjodh Kryetar i Këshillit të Qarkut Korçë.